Gjykata e apelit




Yüklə 27.33 Kb.
tarix27.04.2016
ölçüsü27.33 Kb.


REPUBLIKA E SHQIPËRISË

GJYKATA E APELIT

TIRANË
Nr. 3778/962 i Regj Themeltar

Nr. 983 i Vendimit

V E N D I M

NE EMËR TË REPUBLIKËS”


Gjykata e Apelit Tiranë e përbërë prej:
KRYESUES : ZEGJINE SOLLAKU

ANËTAR     : DALIP BUSHI

ANËTAR     : HYSNI DEMIRAJ
Asistuar nga sekretare gjyqsore Stella Fama, sot në dt 20.04.2012, mori në shqyrtim, në seancë gjyqsore publike, në shkallë të dytë, çështjen civile që u përket :
PADITËS : Ismail Stringa, i biri Isufit dhe Nadire, dtl. 1952,banues në lagjen “Q.Stafa”, Rr.“F.Kotherja”, banesë private Elbasan, përfaqësuar nga avokat Koci Mato.
TË PADITUR : Henrieta Balliu (Agolli), e bija e Sefedinit banuese në Rrugën Bogdani, pall.11, hyrja nr.2, kati 3, përfaqësuar nga avokat Gramoz Çela me prokurë të posaçme.

Blegina Kodra (Agolli), e bija e Sefedinit me banim Rr.Don Bosko, pallati përballë shkollës “Don Bosko”, televizioni Vizion Plus Tiranë, në mungesë, dijeni me shpallje sipas ligjit.

Elida Sinani (Agolli), e bija Sefedinit, me banim lagjia 9 rruga “Fortuzi” pall. Nr. 8, Tiranë, në mungesë, dijeni me shpallje sipas ligjit.

Ëngjellushe Ahmetllari (Agolli), e bija e Sefedinit me banim Rr.“Hamdi Cenoimeri”, pall.167, shk.3, Tiranë, në mungesë, dijeni me shpallje sipas ligjit.
OBJEKTI : Detyrim solidar të paditurve për të më kthyer shumën

prej 500 000 lekë kamat vonesat e kësaj shume që

nga 24. 8. 2000 e në vazhdim deri në ekzekutimin e

vendimit gjyqësor që do të japë gjykata.



BAZA LIGJORE: Nenet 106, 419 e vijues K.Civil dhe nenit 32/a e 153

K.Pr.Civile të K.Punës.



Gjykata e Rrethit Gjyqsorë Tiranë, me vendimin Nr.5022, dt.10.06.2011 ka vendosur :

  • Detyrimin e te paditurve Henrieta Balliu, Blegina Kodra,Elida Agolli, Ëngjellushe Ahmetllari Agolli, ti paguajnë solidarisht paditësit Ismail Stringa shumën 500 000 lekë si dhe interesat bankare të kësaj shume nga nëntor 2007 deri ne ekzekutimin e këtij vendimi.

  • Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të paditurve.



Ndaj këtij vendimi ka paraqitur ankim pala e paditur Henrieta Balliu (Agolli), e cila nëpërmjet përfaqsuesit të saj av.Gramoz Çela kërkon ndryshimin e vendimit dhe rrëzimin e padisë duke parashtruar se :


  • Vendimi i gjykatës është i pambështetur në ligj dhe në prova.

  • Nuk është respektuar parimi i kontradiktoritetit, është vendosur gjykimi në mungesë i të paditurve të tjerë pa u vërtetuar marrja dijeni e tyre.

  • Gjithashtu nga pala e paditur është paraqitur një kundërpadi e cila nuk është pranuar fare për shqyrtim.

  • gjykata në dispozitiv nuk është shprehur fare për padinë.

  • Gjykata ka tejkaluar të drejtën e saj për të vendosur duke dalë jashtë objektit të kërkimit të paditësit.

  • Gjykata nuk është shprehur fare për pretendimet e të paditurit dhe nuk ka dhënë arsyet e mospranimit të tyre.

  • Në kushtet kur në lidhje me këtë konflikt gjykata është shprehur njëherë dhe ka një vendim të formës së prerë, titull ekzekutiv, gjykata nuk mund ta marrë përsëri në shqyrtim një objekt të vendosur me vendim të formës së prerë pasi ka ndalime ligjore nga neni 451/a i K.Pr.Civile.

GJYKATA E APELIT TIRANË
Pasi dëgjoi relatimin e çështjes nga gjyqtare Z. Sollaku;
përfaqësuesin e palës së paditur Henrieta Balliu (Agolli), Av.Gramoz Çela i cili kërkoi ndryshimin e vendimit dhe rrëzimin e padisë;

përfaqësuesin e palës paditëse Ismail Stringa, av.Koçi Mato i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimit;


të paditurit Blegina Kodra (Agolli), Elida Sinani (Agolli), Ëngjëllushe Ahmetllari (Agolli) në mungesë, njoftuar rregullisht me shpallje sipas ligjit;
si e shqyrtoi dhe e bisedoi çështjen në tërësi,

V Ë R E N

Se vendimi Nr.5022, dt.10.06.2011, i Gjykatës së Rrethit Gjyqsorë Tiranë në vështrim të nenit 468 të K.Pr.Civile, duhet të prishet dhe të pushohet gjykimi i çështjes.


Nga aktet dhe provat shkresore të administruara në dosje dhe hetimi gjyqësor i zhvilluar nga gjykata e shkallës së parë ka rezultuar e provuar se :

Me kontraten e shitjes nr. 8435 rep, 1387 kol, datë 24.08.2000 paditësi Ismail Stringa ka blerë nga Sefedini Agolli një ndërtesë 37 m2 me 32 m2 truall në zonën kadastrale 8521 në lagjen “Kongresi Elbasanit”, regjistruar në regjistrin hipotekorë 36550 datë 11.08.1999 Elbasan, kundrejt vlerës 500 000 lekë.

Sipas vendimit nr. 7, datë 10.01.2005 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, lënë në fuqi me vendimin Nr. 489, datë 01.11.2007 të Gjykatës së Apelit Durrës, lënë në fuqi me vendimin Nr. 631 datë 28.05.2010 të Gjykatës së Lartë është vendosur :

...


Kostatimi absolutisht i pavlefshëm i kontratës së shitjes 8435 rep, 1387 kol, datë 24.08.2000, të lidhur midis Ismail Stringa dhe Sefedin Agollit kthimin e këtyre palëve në gjendjen e mëparshme...etj.
Në rrethanat kur Sefedin Agolli ka ndrruar jetë rezulton sipas vendimit nr. 349, datë 09.03.2006 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan se trashëgimtare ligjore të radhës së parë të tij janë njohur të paditurat Herjeta Balliu (Agolli), Engjellushe Ahmetllari (Agolli), Elida Sinani (Agolli) dhe Blegina Kodra (Agolli).
Nëpërmjet kësaj padie në kushtet kur sipas vendimit Nr.7, dt. 10.01.2005 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, vendim i formës së prerë, është konstatuar absolutisht e pavlefshme kontrata e shitjes 8435 rep e 1387 kol, datë 24.08.2000 e lidhur midis Ismail Stringa dhe Sefedin Agollit dhe kthimi këtyre palëve në gjendjen e mëparshme paditësi Ismail Stringa i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësorë Tiranë me kërkesë – padi duke paditur trashëgimtarët ligjorë të trashëgimlënësit Sefedin Agolli dhe kërkuar sipas objekt të padisë të detyrohen solidar të paditurit për t’i kthyer shumën prej 500 000 lekë, kamat vonesat e kësaj shume që nga 24.08.2000 e në vazhdim deri në ekzekutimin e vendimit gjyqësor që do të japë gjykata.

Si ka shqyrtuar çështjen, provat e ndodhura në dosje, me vendimin Nr 5022 datë 10.06.2011, Gjykata e Rrethit Gjyqësorë Tiranë ka pranuar kërkesë – padinë e paditësit, sipas objektit të saj.

Ndaj këtij vendimi, duke mos qënë dakort me të, brënda afateve ligjore më datë 27.06.2011, ka paraqitur ankim pala e paditura Henrieta Balliu nëpërmjet avokatit të saj Gramoz Çela dhe kërkuan ndryshimin e vendimit dhe rrëzimin e padisë. Në këtë ankim pala e paditur ka ngritur ato shkaqe sikurse gjejnë pasqyrim më lart në pjesën hyrëse të këtij vendimi si për shkelje të ligjit proçedurjal ashtu dhe të ligjit material. Veç të tjerash në lidhje me themelin nga ana e ankueses është pretenduar se jemi para gjësë së gjykuar dhe se përsa i përket kërkimit të kamat vonesave padia nuk duhet të pranohet pasi nuk rezulton të ketë veprime me faj nga të paditurat.
Kolegji civil i Gjykatës së Apelit Tiranë si shqyrtoi dhe bisedoi çështjen në tërësi, provat shkresore të administruara në dosje, në vështrim të nenit 468 të K.Pr.Civile, çmon se vendimi i ankimuar duhet të prishet dhe të pushohet gjykimi i çështjes.

Arrihet në këtë përfundim për arësye se :


Në nenin 451/a të K.Pr.Civile parashikohet se :

Vendimi që ka marrë formë të prerë është i detyrueshëm për palët, për trashëgimtarët e tyre, për personat që heqin të drejta nga palët, për gjykatën që ka dhënë vendimin dhe për të gjitha gjykatat dhe institucionet e tjera.



Vendimi që ka marrë formë të prerë ka fuqi vetëm për ç’ka është vendosur midis po atyre palëve, për të njëjtin objekt dhe për të njëjtin shkak. Një konflikt që është zgjidhur me vendim të formës së prerë nuk mund të gjykohet përsëri, përveç kur ligji parashikon ndryshe”.

Ndodhur çështja në rrethanat e mësipërme, në kushtet kur padia e ngritur nga paditësi Ismail Stringa është shqyrtuar me vendimin e formës së prerë Nr.7, datë 10.01.2005 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, lënë në fuqi me vendimin Nr. 489, datë 01.11.2007 të Gjykatës së Apelit Durrës, lënë në fuqi me vendimin Nr. 631 datë 28.05.2010 të Gjykatës së Lartë, në interpretim të dispozitës së mësipërme sipas të cilës parashikohet se vendimi që ka marrë formë të prerë është i detyrueshëm për palët, për trashëgimtarët e tyre (si në rastin objekt shqyrtimi), për personat që heqin të drejta nga palët, për gjykatën që ka dhënë vendimin dhe për të gjitha gjykatat dhe institucionet e tjera, Gjykata e Apelit çmon se pretendimi i të paditurës Henrieta Balliu në ankim se jemi para gjësë së gjykuar është i drejtë dhe i bazuar dhe duhet të merret në konsideratë.

Për më tepër që rezulton se për vendimin e mësipërm të formës së prerë, me vendimin Nr.327, datë 06.07.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësorë Elbasan është lëshuar urdhëri i ekzekutimit në favor të kreditorit Ismail Stringa.
Referuar arsyetimit si më lart një konflikt i zgjidhur me vendim të formës së prerë nuk mund të gjykohet përsëri, çka do të thotë se jemi para një padie që nuk mund të ngrihet apo të një gjykimi që nuk mund të vazhdojë, sikurse parashikon neni 468 i K.Pr.Civile.
Në nenin 468 të K.Pr.Civile parashikohet se:

Gjykata e apelit kur konstaton se çështja nuk hyn në juridiksionon gjyqësorë, si dhe kur padia nuk mund të ngrihej ose gjykimi nuk mund të vazhdonte, prish vendimin dhe vendos vetë pushimin e gjykimit të çështjes”.


Për sa më lart ndodhur në këto rrethana Gjykata e Apelit çmon se nuk ka vënd që të trajtohen në mënyrë të veçantë pretendimet e ngritura në ankim nga e pala e paditur Henerieta Balliu për shkelje të ligjit proçedurial dhe të ligjit material nga gjykata, pasi ndodhur në tilla rrethana në vështrim të nenit 468 të K.Pr.Civile duhet të vendoset prishje e vendimit Nr.5022, dt.10.06.2011, të Gjykatës së Rrethit Gjyqsorë Tiranë dhe pushimi i gjykimit të çështjes.

PËR KËTO ARSYE
Gjykata e Apelit Tiranë, në bazë të nenit 468 të K.Pr.Civile,

V E N D O S I
Prishjen e vendimit Nr.5022, dt.10.06.2011, të Gjykatës së Rrethit Gjyqsorë Tiranë dhe pushimin e gjykimit të çështjes.
U shpall në Tiranë

Sot në datë 20.04.2012
ANËTAR                      ANËTAR                      KRYESUES

Dalip BUSHI Hysni DEMIRAJ Zegjine SOLLAKU d.v. d.v. d.v.

Vertetohet njesia me Origjinalin

KANCELAR

Altin GJANA






Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©www.azrefs.org 2016
rəhbərliyinə müraciət

    Ana səhifə